SHPËRNDAJE
loading...

Minimale janë gjasat që brenda një kohe të shkurtër Kosovës t’i hiqen vizat me Bashkimin Evropian (BE), ashtu siç ka premtuar kryeministri Ramush Haradinaj.

Kjo për shkak të mosratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, si dhe për shkak të dështimit në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Këto dy kritere (demarkacioni dhe lufta ndaj korrupsionit) po potencohet nga të gjithë zyrtarët e lartë ndërkombëtarë që po e vizitojnë Kosovën, si dhe nga përfaqësuesit e tyre diplomatikë të akredituar në vend, sipas të cilëve, pa plotësimin e këtyre dy kritereve Kosovës nuk i hiqen vizat me BE-në.

Në fakt Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk e ka të drejtën e lëvizjes pa viza në BE, të cilën të drejtë qytetarët e vendeve fqinje e gëzojnë për më shumë se gjysmë dekade.

Haradinaj: Zbatimi i MSA-së sjell liberalizmin

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka deklaruar të enjten se liberalizimin e vizave mund ta sjellë përmbushja e kritereve të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), por nuk ka përjashtuar edhe kushtin për Demarkacionin. “Zbatimi i MSA-së është vetvetiu materia që sjell liberalizimin. Ne e dimë që këtu lidhet edhe demarkacioni, sepse Marrëveshja që nuk është ratifikua nga të dy parlamentet është projektmarrëveshje. Ne nuk do të bëjmë ndonjë zbulim”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkaq zyrtarët e lartë ndërkombëtarë vazhdojnë të theksojnë se për liberalizimin e vizave mbeten vetëm dy kritere: ratifikimi i Demarkacionit dhe luftimi i krimit dhe korrupsionit. Këtë ia rikujtoi edhe një herë të mërkurën kryeministrit Haradinaj drejtori i përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim të Komisionit Evropian, Christian Danielsson. “Kriteret janë të njohura dhe të qarta për liberalizimin e vizave. Këshilla jonë për Qeverinë është që të gjenden mënyra për t’i adresuar këto çështje të mbetura”, ka thënë Danielsson.

Mirëpo qeveria “Haradinaj”, pavarësisht faktit që Demarkacioni mbetet njëri ndër kushtet kryesore, insiston që Marrëveshja e nënshkruar tashmë me Malin e Zi nuk vlen dhe se duhet të rishqyrtohet, për të cilën nuk po pajtohet pala malazeze.
“Derisa nuk e ka miratuar parlamenti ynë, nuk ka marrëveshje dhe kjo Marrëveshje për Demarkacionin nuk vlen”, ka thënë kryeministri Haradinaj, duke shtuar se kur Marrëveshja ratifikohet nga parlamentet e të dyjave vendeve, atëherë mund të quhet e tillë. “Ditën e parë që e kom marrë postin e kryeministrit e kam shkarkuar Komisionin paraprak. Komisioni i ri do të gjejë fakte që është gabuar më herët dhe se kufiri është në Çakorr dhe në Kullë”, tha ai.

E ngjashme:  LSDM: Televizioni Telma të rishqyrtoj vendimin e tyre për largimin e 12 gazetarëve

Haradinaj tha se pas gjetjes së këtyre fakteve Kosova do të ulet së pari me miqtë e saj dhe atyre do t’u prezantohen këto të gjetura e më pas edhe me fqinjët.

Vetëm ratifikimi i Demarkacionit nuk na i sjell vizat

Afrim Hoti, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare, ka thënë për “Zërin” se liberalizimi i vizave ka dy anë të medaljes: reflektimi i institucioneve që të marrin hapa drejt liberalizimit dhe vullneti i Malit të Zi që të rishikohet Marrëveshja paraprake. “Tashmë është thënë disa herë në mënyrë të qartë nga BE-ja se nuk ka liberalizim pa Demarkacionin. Duke marrë parasysh këtë, mendoj se institucionet duhet të reflektojnë. Se si veprojnë ata është po ashtu ana tjetër e medaljes. Është situatë shumë e komplikuar, megjithatë dua të besoj që me krijimin e Komisionit të ri dhe me një vullnet nga ana e Malit të Zi do të rishikohet Marrëveshja paraprake. Në të kundërtën, nuk ka dilemë, çështja duhet të shkojë në Arbitrazh”, ka thënë ai.

Ndonëse Demarkacioni mbetet kusht kryesor për liberalizimin e vizave, Hoti tha se ratifikimi i Demarkacionit nuk do të na sjellë liberalizimin, pasi janë edhe shumë kritere tjera që duhet të plotësohen.

REKLAMË
loading...

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here